Secondary Adv

Krijohet Korporata e Investimeve, menaxhon projektet madhore shteterore

Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit zotërojnë aksione. 

  

Një projekligj, që ende nuk është miratuar në qeveri, por është hedhur për diskutim me grupet e interesit, ka të bëjë me synimin për të krijuar një institucion të ri, detyra e të cilit është të menaxhojë pronat e shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar. Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet që të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata.

 

Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata. Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga Shteti me infrastrukture ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion. Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit./Shqiptarja.com


Më të lexuarat